1. PayPal
Karremi
Ky mashtrim zakonisht shfaqet në formën e një e-maili që ju
lajmëron se ju duhet të rifreskoni të dhënat e llogarisë bankare ose të PayPal
(shërbim i përdorur nga tregtarët në internet), për arsye sigurimi.
Mashtrimi
Lidhja e e-mailit ju çon në një faqe në dukje njësoj me faqen
tuaj bankare, por në të vërtetë një faqe false, që ka për qellim të vjelë të
dhënat tuaja për të hyrë në llogari. Kur kriminelet i marrin këto të dhëna, ata
hyjnë në llogarinë tuaj të vërtetë dhe ju vjedhin paratë, informacionin, bile i
provojnë edhe në llogarite tuaja të tjera, sepse e dinë që shumica e njerëzve
përdorin të njëjtat fjalëkalime në shumë faqe interneti.
Si mund të veproni?
Shumicen e rasteve kriminelet kanë dalë me ca mënyra tepër
interesante maskimi si kompani apo institucione të besuara, në mënyrë që t'ju
vjedhin të dhënat tuaja personale. Mënyra e shmangies së vjedhjes së
identitetit nëpërmjet Phishing, të mbani mend që JU jeni në kontroll të të
dhënave tuaja. Ruajini me kujdes e mos ia jepni kujtdo që ua kërkon, pa u
siguruar që ua kërkojnë për arsye ligjore.
2. Fryrja dhe shfryrja e aksioneve
Karremi
Të gjithë e dinë që informacioni është kryesor në bursë, kështu
që nuk është çudi sa milionë vetë e kafshojnë këtë karrem: Ju vjen një e-mail
nga dikush që thotë se është lojtar burse, i cili ju tregon për aksione që do
të dyfishohen, bile trefishohen shumë shpejt. Dhe ju i blini këto aksione, për
të zbuluar disa orë më pas se janë zhvleftësuar përsëri. Një e-mail i tillë që
na erdhi javën e fundit, duket kështu:
Titulli: 221.43% -
Rezultate të sapodala Bajlozi:
DWPI del në shitje,
Çmimi ngrihet 221.43%
Distributed Power Inc.
Simboli: Çmimi i DPWI : $0.40 (+0.31)
Lajmi po përhapet!!! DPWI blen puse të pashtershme nafte, shpon
më thellë në puset ekzistuese, duke rritur prodhimin e vet dhe hap degë
aziatike. Aksionarët çmenden sot dhe çmimet rriten 221.43%. Veproni sa më
shpejt, lexoni lajmet, dhe futeni në dorë DPWI-në që të martën në mëngjes!
Mashtrimi
Del se ata që të kane dërguar e-mailin, po presin për ty e për
ca të tjerë si puna jote, që të blejnë e të ngrenë çmimet e aksioneve, për t'i
shitur të tyret me fitim para se ti të hapësh e të mbyllësh sytë.
Si të veprosh?
Investimet e mirëfillta kanë rrezik humbjeje dhe tregtarët e
aksioneve ua thonë gjithmonë klientëve të tyre. Kini sidomos kujdes nga ofertat
që vijnë nga interneti, investimet jashtë atdheut dhe strategjitë shtytëse e
marramendëse. Dhe, nëse nuk e merrni parasysh që mund t'i humbni të gjitha
paratë, me mirë mos investoni fare.
3. Anuloje këtë porosi!
Karremi
Ndërsa po shfletoni internetin një mbrëmje, ju vjen një e-mail
që konfirmon porosinë tuaj. "Çfarë porosie?- mendoni ju.- Unë s'kam
porositur gjë!".
Mashtrimi
Ju klikoni në lidhjen "anulo" në e-mail, duke menduar
se kështu mbroni kartën tuaj të kreditit, por në të vërtetë, po i lini të
dhënat tuaja personale në një faqe false.
Si të veproni?
Këto e-maile duhen fshirë menjëherë sa t'i merrni. Është
logjike, nëse nuk keni porositur gjë, por merrni një e-mail që ju kërkon të
konfirmoni "porosinë", merrni në telefon kompaninë që gjoja po iu
dërgon mesazhin dhe hetojeni situatën. Më të shumtën e herëve, përfaqësuesi/ja
i/e kompanisë do të pohojë që nuk ka asnjë të dhënë për blerjen tuaj dhe ju do
të flini të qetë se nuk e hëngrët karremin.
Gjithashtu mirë është të thirrni kompaninë tuaj të kredit kartës
dhe ta pyesni nëse ka dalë ndonjë blerje e pashpjegueshme. Kontrolloni me ta
listën e blerjeve që keni kryer dhe nëse ka ndonjë të dyshimtë, kundërshtojeni
aty për aty. Shumica e kompanive bashkëpunojnë me ju, së pari, duke e
"ngrirë" veprimtarinë e kartës dhe pastaj duke gjurmuar blerjen e
dyshimtë. Të ka rënë
4. Llotaria!!!
Karremi
Pas gjithë atyre parave të harxhuara me bileta lotarie, e lënë
thonj duke kruar lojërat e fatit, ju vjen e-maili: "Keni fituar miliona!".
Mashtrimi
Natyrisht, që të merrni milionat, ju duhet të jepni numrin e
llogarisë bankare ose kartën e kreditit sepse ka një tarifë për transferimin e
parave. Zakonisht, ju marrin $75-100 për këtë punë dhe nuk i shikoni kurrë
fitimet e premtuara.
Si të veproni?
Kur një e-mail pretendon që ju ka ardhur dita, në të shumtën e
kohës nënkupton dita e mashtrimit e jo e fatit. Nuk duhet të paguani kurrë për
të luajtur. Kompanitë që caktojnë tarifa ose gjoba për të fituar një çmim,
shkelin ligjet. Dhe fituesit e mirëfilltë i paguajnë taksa vetëm shtetit, jo
kompanisë që pretendon se po iu jep fitimet.
5. Mashtrimi i letrave
nigeriane:
Kurthi ku kanë rënë me
miliona njerëz
Karremi
"Letra 419" që i ka mbetur emri nga Kodi Penal
nigerian, i cili merret me skemat e krimeve, vjen si e-mail nga dikush që duket
sikur kërkon ndihmën tuaj në një situatë tepër të rëndë, por të ndershme,
zakonisht dikush që do të bëjë bamirësi ndërsa është në grahmat e fundit, ose
do të verë në vend amanetin e "të ndjerit". Një pjesë e shkëputur nga
një e-mail tepër i dëshpëruar vijon:
"…para se të vdiste, i ndjeri im shoq ishte manjat nafte e
depozitoi shumën e 25 milionë dollarëve (njëzetepesë milionë dollarëve) në një
nga bankat spanjolle në Madrid, Spanjë, të cilat janë të vetmet para që më kanë
mbetur, e kam nevojë për ju të më ndihmoni ta tërheq këtë fond dhe ta dhuroj si
e ka falur Zoti e për bamirësi, kështu që të më bjerë shpirti rehat kur të
vdes, fondet do të jenë komplet në dorë e nën drejtimin. Shpresoj që Zoti t'ju
japë urtësinë të ndihmoni shumë jetë njerëzish, shqetësimi im kryesor. 20% e
këtyre fondeve do të jenë shpërblimi i kohës e përpjekjeve tuaja, dhe 80% do
t'i shkojnë bamirësive. Nëse e shikoni të arsyeshme të më ndihmoni, atëherë më
dërgoni të dhënat e mëposhtme urgjentisht.
1) EMRA DHE ADRESA
2) NUMRAT E TELEFONIT E TË FAKSIT
3) KOMBËSIA JUAJ
4) PROFESIONIN
5) MOSHËN DHE GJENDJEN CIVILE
Ju lutem m'u përgjigjni në këtë e-mail:
jennydiaz_at_mail.vu."
Mashtrimi
Në shkëmbim të të dhënave tuaja personale, si numri i llogarisë
e i transfertave bankare, dërguesi ju premton një shumë të madhe për ndihmën
tuaj. Natyrisht që paratë nuk ju bien kurrë në dorë dhe dërguesi i letrës është
nga ana tjetër e botes, duke ju shfrytëzuar kreditin e të dhënat personale kaq
shumë saqë, do t'ju duhen vite për ta sjellë çdo gjë përsëri në formë me
kreditoret.
Shpesh do t'ju vijnë dokumente zyrtare në dukje, që ju kërkojnë
të paguani këto apo ato tarifa poste e shërbimi, në mënyrë që çdo aktivitet të
duket i ligjshëm.
Si të veproni?
Para falas nga Nigeria të ofruara me e-mail nga një princeshë e
shumëvuajtur ose diplomat në burg? Kur të fluturoje gomari! Këto mashtrime i
kanë marrë në qafë njerëzit prej shumë vjetësh, me ndryshime të vogla e të
mëdha në historitë e tyre, por mësimi është gjithmonë i njëjtë: Përfshirja në
këto mashtrime nuk është vetëm harxhim i kotë kohe, por me raste edhe e
rrezikshme e kërcënuese për jetën tuaj.
6. Sherbimi ne internet
Me poshte keni pervojen e nje perkthyesje qe perkthen artikuj
per kliente ne internet.
Si përkthyese, pjesa më e madhe e projekteve më vjen pikërisht
nga e-mailet që më dërgojnë në përgjigje të profileve të mia në faqe të
ndryshme biznesi. Një nga këto ishte një kërkesë për shoqërim e përkthim nga
dr.Bernard Opoko, për gruan e tij shqiptare që do të vizitonte Nju Jorkun.
Dërgova një ofertë, e cila u pranua pa asnjë fjalë. Deri këtu, mrekulli! Para
të falura. Por, motra ime se ku e kishte dëgjuar këtë emër, kështu që e
google-m dhe ja ç'na doli:
"Një mashtrim i zakonshëm, pre e të
cilit bie kryesisht ti, përkthyesi. Pasi bie dakord për çmimin, dr.Opoke ose
një pseudo dr.prof. tjetër e paguan paraprakisht, duke "gabuar" në
shuma me mijëra dollarë. Përnjëherë më pas, të dërgon një e-mail ku të informon
për "gabimin" e tij dhe të lutet që me ta marrë çekun, t'i dërgosh
një mbrapsht me diferencën. Po të jesh njeri korrekt si unë, e dërgon çekun
tënd mbrapsht në mirëbesim, pa pritur që çeku i tjetrit të pastrohet. Nga koha
e depozitimit të çekut të klientit, tek koha e transferimit të parave, kalojnë
të paktën 7 ditë. Gjatë kësaj kohe, çeku jot është depozituar dhe ai i ka marre
paratë e tua. Në fund të javës, çeku i tij del i pambuluar dhe ti humb disa
mijëra dollarë të tuat".
No comments:
Post a Comment